Real Madri ka vendosur të mos flasë dhe të mos ketë asnjë informacion, zyrtar apo jozyrtar, në lidhje me Kylian Mbappe, të paktën deri në janar.
Los Blancos ka kohë që kërkojnë me ngulm yllin e PSG-së dhe disa oferta rresht u refuzuan nga kampionët e Francës në gusht, këtë verë.
Mbappe ka hyrë në vitin e fundit të kontratës dhe në verë do të jetë i lirë, nëse nuk rinovon, por Florentino Perez tashmë ka dhënë urdhër të prerë: Fjala “Mbappe” nuk duhet të përmendet më, si në ambientet e klubit, ashtu edhe në raportet me mediat.
Lajmi është bërë publik nga emisioni El Chiringuito, shumë pranë klubit madrilen, ndërsa shtohet se vendimi është marrë në mënyrë që klubi dhe ekipi të përqendrohen te sezoni aktual, ku synohet titulli, përveçse një ecuri e mirë në Champions.
Në janar do të bëhet një bilanc dhe të vendoset për të ardhmen, natyrisht duke biseduar me Mbappe për firmën në verë, edhe pse PSG do të kundërsulmojë, duke ofruar shifra të frikshme për rinovim.