Camavinga e ka nisur shkëlqyeshëm aventurën e tij tek Reali i Madridit. Mesfushori francez, i blerë në ditën e fundit të merkatos verore, për një shifër që mund të arrijë deri në 45 milionë euro me bonuse, e ka nisur në mënyrë fantastike, me nje gol e një asist në 34 minutat që ka luajtur në dy ndeshje.
Trajneri i tij tek Rennes, Bruno Genesio, ka folur për këtë fillimsezoni të ish-lojtarit të tij.
“Thjesht i duhej të pastronte mendjen nga gjithçka po ndodhte, i duhej një sfidë e re, jashtë Francës”, është shprehur Genesio, duke justifikuar rënien e nivelit të Camavingas sezonin e shkuar. “Një lojtar i tillë nuk i humbet cilësitë ashtu, papritur. Jam i kënaqur që ai ka rigjetur buzëqeshjen dhe nivelin e vet”.
Genesio ka shpjeguar më parë edhe problemet mes Rennes e Camavinga: “Ai donte të largohej, por ishte e vështirë për ne, është rritur tek Rennes dhe e duam shumë. Sipas meje, ai nuk ishte i lumtur. Zgjidhja më e mirë do ishte rinovimi i kontratës edhe për një vit, por duke parë me qetësi atë që ndodhi, mendoj se është diçka shumë e mirë që iku jashtë, për t’u rritur”.
Camavinga mund të largohej falas verën e ardhshme, por dëshironte të largohej që këtë verë, duke i bërë edhe një dhuratë të rëndësishme financiare Rennes, që përfitoi goxha nga shitja e tij.