Kampionati spanjoll është dobësuar frikshëm këtë verë, për shkak të largimit të një legjende si Lionel Messi dhe për shkak se Barcelona e Reali i Madridit kanë qenë pasivë në merkato, duke vuajtur problemet financiare nga pandemia.
Megjithatë, situata është shumë më e rëndë për Barcelonën, ndërsa Reali është shumë më mirë, çka e pranon edhe zëvendëspresidenti ekonomik i Barcelonës Eduard Romeu, i cili duke folur për Cadena Cope ka pranuar se Los Blancos janë në pozita shumë më të forta nga sa mendohej.
“Kylian Mbappe dhe Erling Haaland mund të tranferohen në Madrid, sepse Reali është klub madhështor, që ka potencial dhe fuqi të jashtëzakonshme. Florentino Perez i ka bërë shumë mirë detyrat e shtëpisë, ndryshe nga Barcelona, që vitet e fundit ka gabuar gjithçka.
“Perez e ka menaxhuar klubin në një mënyrë ndaj së cilës duhet të heqim kapelën. Në niveli biznesi, është i paarritshëm dhe financiarisht Reali i ka të gjitha mundësitë të blerë Mbappe e Haaland, pa u futur në gropën financiare që është futur Barcelona vitet e fundit, për shkak të gabimeve të mëdha në merkato dhe në menaxhimin e pagave“.
Barcelona këtë verë ka humbur Messin, ka ulur ndjeshëm pagat për yjet e ekipit dhe ka shitur Griezmann, Emerson Royal e Moriba, ndërsa Reali ka humbur qendërmbrojtësit Ramos e Varane, por ka afruar Alaba e Camavinga.