Duke filluar nga fillimi i vitit të kaluar me shfaqjen e pandemisë globale Covid 19, shumë gjëra ndryshuan në mbarë botën për shkak të kësaj sëmundje që preku miliona njerëz nëpër botë. Kjo pandemi ka prekur shumë edhe botën e futbollit dhe sidomos klubet duke marrë parasysh se tifozët nuk u lejuan në stadiume që nga koha kur u shfaq kjo pandemi.
Por duket se kësaj pritje më shumë se 1 vjet mund t’i ketë ardhur fundi. Presidenti i La Ligas, Javier Tebas beson se pak xhiro para se të përfundojë ky sezon më saktësisht në muajin e ardhshëm pritet të hapen stadiumet e kampionatit Spanjoll. Hapja e tyre pritet të jetë me limite pasi do të lejohet që stadiumet të mbushen me tifozë me vetëm 10 deri 25% të kapacitetit të tyre.
Rikujtojmë që Real Madridi do të luajë deri në fund të këtij sezoni në stadiumin Alfredo di Stefano ndërsa pritet të kthehet në Bernabeu në muajin shtator më saktësisht në sezonin e ardhshëm.