Gjatë ndeshjes së djeshme ndaj Granadas, në pjesën e parë të takimit, mesfushori gjerman Toni Kroos pësoi një dëmtim dhe trajneri Zinedine Zidane u detyrua ta largojë nga fusha e lojës, duke e zëvëndësuar me kroatin Luka Modric.
Gjatë ditës së sotme u kryen testet e para mjekësore lidhur me dëmtimin e Toni Kroos dhe rezultatet e para tregojnë një dëmtim muskular të shkallës së parë në këmbën e majtë. Klubi madrilen lajmëroi nëpërmjet një komunikate zyrtare se do të bëhen akoma teste të tjera në mënyrë që të përcaktohet në mënyrë të saktë shkalla e dëmtimit dhe periudha e rikuperimit.
Mbeten edhe më pak se tre javë nga El Clasico e parë e sezonit dhe siç raportojnë mediat më të besueshme spanjolle, Toni Kroos do të jetë jashtë fushave për të paktën dy javë, kaq është koha që kërkojnë zakonisht këto lloj dëmtimesh për rikuperim. Mbetemi akoma në pritje të një komunikate zyrtare, por sipas të gjitha gjasave (referuar Marcas), lojtari gjerman do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Barcelonës.