Tashmë dihet që Zinedine Zidane nuk e dëshiron Dani Ceballos në Madrid. Raportet mes tyre u ftohën që në fundin e sezonit 2017-2018. Në atë kohë, pas largimit të Zidane, vetë lojtari u shpreh: “Nëse Zizou do kishte vazhduar si trajner i Realit akoma, unë do isha larguar.”
Fati e deshi që të ritakohen prapë, përsëri tek Real Madridi, por gjërat nuk janë më njëlloj. Tashmë edhe vetë Ceballos e di që do të largohet, e di që Zidane nuk e dëshiron në Madrid.
Fjalët e Ceballos gjatë një interviste e vërtetojnë këtë gjë: “Kam folur me Zidane. Ai u tregua shumë i qartë me mua. Tek Reali nuk kam luajtur aq sa kisha menduar. Pas europianit (me Spanjën U-21) do të bëj publike të ardhmen time.
Këtë të hënë, e përditshmja spanjolle AS zbuloi atë që i tha Ceballos teknikut francez pasi ky i fundit i kishte komunikuar se duhet të gjente një skuadër tjetër. Sipas AS, Ceballos është shprehur: “Rri i qetë mister, as unë nuk dua të vazhdoj të punoj më me ju!”