Pas fitores së vuajtur në mesjavë ndaj Shakhtar, Reali luajti sërish në Bernabeu këtë fundjavë, kundër Rayos. Në derbi pritej fitore dhe lojë bindëse, por e para erdhi, ndërsa e dyta u zhduk sërish në fundin e ndeshjes. Ja notat e fitores 2-1…
Thibaut Courtois—7: Kreu 5 pritje, ishte protagonist në fundin e takimit dhe kjo tregon problemet e Realit në aspektin mbrojtës në 15-20 minutat e fundit.
Dani Carvajal—7.5: Një pjesë e parë e shkëlqyer, me disa pasime perfekte në të djathtë të sulmit, duke u kombinuar shumë mirë me Marco Asensio. Forma fizike është rikthyer thuajse në maksimum.
Eder Militao—8: Një tjetër paraqitje shumë e mirë nga Militao, i cili regjistroi edhe 3 interceptime aksionesh kundërshtare.
David Alaba—7.5: Qendërmbrojtës që di të sulmojë, Alaba dha asistin numër 3 për këtë sezon. Pasimi i tij nga e majta për Benzema ishte perfekt. Mund të bënte diçka më shumë tek goli i pësuar, sepse e lejoi Falcaon të kërcente i lirë dhe të shënonte.
Ferland Mendy—4: Nuk ishte paraqitja më e mirë për Mendy. U befasua shpesh nga lojtarët kundërshtarë dhe nuk ishte i saktë në pasime, për pak sa nuk i dhuroi një gol Rayos me një pasim të gabuar në hyrje të zonës.
Casemiro—4: Braziliani nuk ka qenë në nivelin e vet më të lartë në shumë ndeshje këtë sezon, duke bërë gabime në pasime. Në fundin e takimit një shkëmbim topi me Courtois futi në siklet gjithë tifozët.
Toni Kroos—8.5: Shpëtimtari në këtë ndeshje. Gjermani shënoi një gol të shkëlqyer dhe më pas, në minutën e 90-të, largoi topin nga vija fatale duke i mohuar barazimin Rayos.
Eduardo Camavinga—7: Pjesë e parë shumë e qetë, por u përmirësua me kalimin e minutave, duke treguar cilësitë në pjesën e dytë. I saktë në aspektin mbrojtës dhe në nisjen e aksioneve sulmuese.
Marco Asensio—7.5: Ishte ndeshja më e mirë e sezonit, pas paraqitjes perfekte ndaj Mallorcas. Tre gjuajtje drejt porte dhe 3 pasime kyçe, Asensio e bëri mirë detyrën si sulmues i djathtë.
Vinicius Junior—8: Elektrik si gjithnjë dhe për pak sa nuk shënoi golin e sezonit me një sprint fantastik, duke kaluar 3 mbrojtës, para se gjuajtja e tij të largohej në vijën fatale.
Karim Benzema—7: Shënoi një gol pas kombinimit të bukur me Alaba, por humbi disa raste të pastra.