Real Madrid në formë, me 4 fitore në 5 ndeshjet e fundit, kërkon të ruajë këtë ecuri, kur të presë sot në mbrëmje Rayo Vallecanon.
Edhe pse në letër duket një ndeshje e thjeshtë, kundër një ekipi debutues, duhet theksuar se Vallecano ka qenë një ndër zbulimet e sezonit, në aspektin e lojës dhe rezultateve, duke mundur edhe Barcelonën para pak javësh, ndërsa në sulm ka një emër të madh si Radamel Falcao.
Për ndeshjen e sotme Carlo Ancelotti pritet të konfirmojë mbrojtjen, me Carvajal e Mendy në krahë, ndërsa priten ndryshime në mesfushë e sulm.
Luka Modric mund ta nisë nga stoli, për t’i lënë vend Camavingas, me francezin që ka pasur shumë pak minuta kohët e fundit.
Në sulm Vinicius e Benzema nuk kanë zëvendës, ndërsa i dëmtuari Rodrygo ka lënë një gropë të madhe. Në mesjavë ndaj Shakhtar luajti Lucas Vazquez, pa lënë gjurmë, ndaj Ancelotti sot pritet t’i japë një shans Eden Hazardit, i cili nuk do të ketë më asnje mundësi në Madrid, nëse dështon edhe sot.