Carlo Ancelotti ka dalë sot në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Rayo Vallecano, të shtunën në mbrëmje. Trajneri i Realit ka folur edhe për ndeshjen e mesjavës ndaj Shakhtar, si dhe çështjet e lojtarëve që nuk po luajnë.
VALLECANO
“Rayo po luan shumë mirë, më pëlqen, është ekip direkt, që sulmon shumë dhe dua një Real që të jetë konstant për 90 minuta, t’u përshtatet situatave të lojës. Rëndësi ka që po përmirësohemi në aspektin mbrojtës, po pësojmë gjithnjë e më pak”.
LODHJA DHE ROTACIONI
“Ndryshimet në formacion bëhen që lojtarët të jenë të motivuar dhe të bëjnë pushim. Nuk mendoj se ekipi është i lodhur. Ndeshjen e fundit nuk bëra shumë ndërrime sepse nuk doja të ndryshoja dinamikat në fushë. Mesfusha ka funksionuar shumë mirë dhe ka munguar Valverde, ndaj nuk kam bere ndryshime në treshen titullare”.
BALE
“Është stërvitur sot, por nuk do grumbullohet për ndeshjen ndaj Vallecanos sepse nuk është gati. Do grumbullohet nga Uellsi, ata do shohin a është gati të luajë. Rëndësi ka të jetë mirë. Tifozët janë të zemëruar me të, për shkak të viteve të fundit ku ka pasur probleme, por nuk duhet harruar ajo që ai ka bërë për Realin”.
LOJTARËT QË NUK LUAJNË
“Nëse një lojtar zemërohet, është shenjë e mirë. Rëndësi ka që vendimet merren për lojtarin, jo personin. Edhe unë nxehesha kur Capello nuk më fuste. Pastaj më thoshte: Kur të bëhesh trajner, do më kuptosh”.
HAZARD
“Nuk është i lumtur, është normale. Ka cilësi dhe po stërvitet mirë, ndaj do ketë minuta, ndoshta nesër, ndoshta më tutje. Me vjen keq që e lë në stol, sepse po tregohet profesionist. Në 4-3-3 ai mund të luajë majtas, por mund ta bëjë mirë edhe sulmuesin e djathtë”.