Çështja Gareth Bale është kthyer në debat të madh në Madrid, pas lajmit të fundit se uellsiani është grumbulluar në kombëtare, edhe pse me Realin nuk luan prej kohësh për dëmtim.
Trajneri Carlo Ancelotti në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Shakhtar u mundua të qetësonte gjithçka, duke thënë se Bale është thuajse gati dhe nëse luan me Uellsin është mirë për lojtarin dhe për Realin.
Megjithatë, në mediat spanjolle debati ka shpërthyer pikërisht me faktin që Bale mund të luajë për kombëtaren, por për Realin është gjithnjë i dëmtuar.
Më i ashpri nga të gjithë është treguar kryeredaktori i seksionit të Realit në të përditshmen AS, Tomas Toncero, i cili ka shpërthyer: “Ç’kuptim ka ky grumbullim me kombëtaren? Quhet Gareth Bale apo Uells Bale? Kjo është anormale, e palejueshme, një mungesë totale respekti ndaj klubit dhe tifozerisë së Realit, duket sikur Bale veç stërvitet në Madrid, sepse mendjen e ka tek Uellsi. Në atë rast, për çfarë paguhet? Më mirë t’ia presin pagën, mos të paguhet më!“.