Eden Hazard e ka nisur keq edhe këtë sezon dhe duket qartë se nuk po arrin dhe ndoshta nuk do ta arrijë kurrë nivelin që kishte në Angli, çka bëri që Reali ta blinte për një shifër të frikshme, mbi 100 milionë euro.
Belgu është duke luajtur shumë pak dhe javën e shkuar Carlo Ancelotti shpjegoi se Hazard është penguar nga dëmtimet dhe shtoi se në këtë moment sheh lojtarë të tjerë më në formë.
Një nga arsyet kryesore pse Ancelotti nuk e llogarit mesfushorin ofensiv si titullar është fakti se stafi mjekësor i ka kërkuar kujdes, pasi Hazard rrezikon dëmtim serioz në rast sforcimi.
Për këtë arsye, Hazard ka kërkuar takim urgjent me Ancelottin, përgatitësin atletik Pintus dhe stafin mjekësor, për të kuptuar çfarë nuk shkon dhe pse rrezikon dëmtime kaq shpesh.
Në janar Hazard nuk ka ndërmend të pranojë largim dhe synon të luajë më shumë deri në fund të sezonit, por kërkon ta ketë të qartë, është problem fiziku i tij apo është thjesht çështje teknike dhe Ancelotti nuk e do në ekip.