Reali e ka lënë pas barazimin pa gola nga Osasuna në Madrid, duke marrë 3 pikë të arta në Elche. Një triumf pa ndonjë shkëlqim të madh, me pak vuajtje në fund dhe një viktimë dëmtimi, Rodrygo, i cili doli 17 minuta pas startit. Ja vlerësimi për Los Blancos sipas Marca…
COURTOIS
Në nivelin që i duhet një portieri të Realit. Pak ndërhyje, por të sakta, shpëtimtare. Një pritje vendimtare në minutën e 22-të hyn në këtë kategori. Me belgun në portë, Reali është i qetë.
LUCAS VÁZQUEZ
I mefshët, nuk u ngrit asnjëherë në nivelin e duhur dhe Ancelotti e ndërroi. Tashmë Carvajal duhet të luajë titullar.
MILITAO
Ndeshja e katërt rresht me bilanc pozitiv. Mbrojtës i shpejtë, mjaft aktiv dhe që sot mbuloi mirë edhe gropat e lëna nga Alaba.
ALABA
Këtë radhë më i miri i mbrojtjes ishte Militao. Nuk ishte në ditën e tij më të mirë, një ndeshje normale.
MARCELO
Në krahun e majtë erdhi rasti i parë i madh i Elches, në minutën e 62-të Marcelo për pak sa nuk shënoi autogol. Shumë larg nivelit të Mendy, por ka luajtur shumë pak këtë sezon.
CASEMIRO
I shkëlqyer në rikuperimin dhe nisjen e kundërsulmit që çoi tek goli i parë madrilen. Gaboi tek goli i Elche, duke dhuruar topin.
KROOS
Nuk u duk shumë, por sa herë u kërkua, ndërhyri si me bisturi. Fitoi faullin që çoi tek kartoni i kuq i Elches.
MODRIC
Si gjithnjë, lojtar plot finesë, edhe pse nuk ra shumë në sy, të paktën derisa i erdhi një moment frymëzimi dhe i dha një pasim perfekt Viniciusit, për 2-0.
VINICIUS
Mbreti Mida për Realin, gjithçka që prek kthehet në ar. Driblime, aksione, gola, perfekt. Dy gola si dedikim për Tite, që nuk e grumbulloi tek Brazili.
MARIANO
Lojtar që nuk e kupton askush. Duket në gjumë jashtë fushe, zjarr i vërtetë kur luan. Ka cilësi, dha pasim magjik për golin e parë dhe luajti një ndeshje të mirë, për dikë që nuk luante kurrë.
RODRYGO
Doli në minutën e 17-të, për dëmtim muskulor, mes lotëve. Ishte futbollisti më i rrezikshëm i Realit deri në atë moment.
CARVAJAL
U fut në minutën e 65-të, me të në fushë muzika është tjetër në të djathtë.
MENDY
Ancelotti ndryshoi edhe në krahun e majtë, Mendy është tepër e vështirë të zëvendësohet.
HAZARD
Sërish në fund të takimit, sa për të prekur fushën. Nuk e di askush çfarë roli ka Hazard në Madrid.