Barazimi kundër Osasuna ka lënë një shije të hidhur tek tifozët e Realit, ndërkohë që ka pasur gjëra të mira, por edhe gjëra që nuk shkuan, siç kanë evidentuar mediat spanjolle pas ndeshjes. Më poshtë janë notat sipas AS…
Courtois: nuk vuajti fare deri në pjesën e dytë, kur Osasuna me një kundërsulm të shpejtë goditi shtyllën, me Moncayola.
Carvajal: kthehet titullar pas një dëmtimi serioz, u mundua, por me shumë kujdes, duke bërë shumë pak në fazën sulmuese. Vuajti kundër Avila, sidomos në rastin e shtyllës së Osasuna. Duhet të rritet fizikisht, për të rigjetur nivelin e vet më të mirë.
Militao: shumë mirë braziliani, i cili ashtu si Alaba ndali disa kundërsulme dhe ndihmoi në sulm.
Alaba: ashtu si Militao, nuk vuajti dhe kontrolloi mirë sulmuesit kundërshtarë, duke formuar një dyshe shumë të sigurt në mbrojtje.
Mendy: shtynte shumë në krah dhe shpesh përplasej me Vinicius, ndaj u fut më brenda, afër mesit të fushës. Në sulm nuk krijoi rreziqe, edhe pse ishte shpesh i pranishëm. Mirë, si gjithnjë, në mbrojtje, edhe pse rasti më i mirë i Osasuna erdhi nga krahu i tij.
Camavinga: titullar në vend të Modric, francezi nuk i dha shumë dinamizëm mesfushës madrilene dhe mori edhe një karton të verdhë, ndaj Ancelotti kishte frikë kartonin e kuq, duke e zëvendësuar.
Casemiro: po përmirësohet shumë, i bëri mirë mosvajtja në Brazil në fillim të muajit, sepse fizikisht është shumë mirë. Bëri sa mundi, tentoi edhe një gjuajtje nga mesfusha, do ishte goli i vitit.
Kroos: gjermani pati shumë kontakt me topin, por pa thellësi dhe nuk gjeti pika pasimi. Luajti shpesh në horizontale dhe nuk tentoi shumë gjuajtje nga distanca, por fizikisht duket gjithnjë e më mirë.
Asensio: shumë pak për ishullorin, që luajti në të djathtë të sulmit, por lëvizi shumë duke u alternuar me Camavinga. Osasuna e mbuloi shumë mirë, ndaj në pjesën e dytë kaloi në qendër, por sërish pak kontakt me topin, derisa e zëvendësoi Hazard.
Benzema: ishte më fin me topin sesa në El Clasico, kërkoi shumë kombinime me Rodrygo e Vinicius, por sërish i mungoi goli, edhe pse nuk pati shumë raste. Nuk e ka shkëlqimin dhe lehtësinë e golit që kishte deri para pak javësh, edhe lodhja po ndihet.
Vinicius: sërish më i miri dhe më aktivi në sulmin e Realit. Më shumë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën u lodh jo pak, duke qenë se loja e Realit funksiononte vetëm në krahun e tij. I duhet pushim.
Zëvendësimet – Rodrygo u fut në vend të Camavinga dhe u përpoq jo pak në të djathtë, por nuk pati situata të rrezikshme në krahun e tij. Hazard luajti 20 minutat e fundit, si gjysmësulmues me liri për të lëvizur në gjithë sulmin, por preku shumë pak topa dhe nuk tregoi asgjë. Lucas u fut në minutën e 69-të për Carvajal, nuk krijoi ndonjë rrezik të madh. Marcelo luajti 20 minutat e fundit në vend të Mendy dhe krijoi volum e raste të mira, aq sa në fund 2 situatat më të rrezikshme në portën e Osasunas i kishte ai, duke pasur paksa gabim në një moment kur Benzema ishte i vetëm, pak metra larg vijës fatale.