Të mërkurën në mbrëmje Carlo Ancelotti vendosi të bënte ndryshime, për shkak të kalendarit të ngjeshur. Marco Asensio titullar, në vend të Rodrygo, në një ndeshje ku pikërisht talenti i tij mund të bënte diferencën.
Megjithatë, majorkezi nuk tregoi ndonjë gjë të veçantë dhe nuk bëri asgjë për të mbështetur me fakte fjalët se meriton të luajë rregullisht. Edhe pse mori pjesë në fazën sulmuese dhe u mundua të krijonte rreziqe, Asensio nuk u bë asnjëherë vendimtar.
Diçka e ngjashme ndodhi edhe me Hazard, i cili u fut në pjesën e dytë. Belgu nuk ndryshoi ndonjë gjë në ritmin e ndeshjes dhe ra në sy vetëm për disa driblime pa vlerë në mesfushë, ndërsa në zonën kundërshtare ishte inekzistent.
Në këtë mënyrë, Ancelotti praktikisht u ka mbyllur gojën mediave dhe tifozëve që ndoshta e kanë konsideruar të padrejtë faktin që Asensio e Hazard luajnë pak. Rodrygo, në të kundërt, ka qenë në nivel më të lartë dhe tregoi edhe dje se është titullar me meritë, duke mos pasur ndonjë rival të denjë për krahun e vet. Ndërkaq, Vinicius tashmë nuk diskutohet fare, është lojtar kyç për Realin dhe Hazard nuk e kërcënon fare.