Një Real Madrid i pafat, por edhe i paaftë për të gjetur rrugën e golit, është ndalur te barazimi 0-0 nga Osasuna, në Santiago Bernabeu, pavarësisht dominimit, në lojë, zotërim topi e raste për shënim.
Vetëm pak ditë më parë madrilenët triumfonin në Camp Nou, por euforia e atij suksesi është shuar pas barazimit ndaj Osasunas.
Ekipi nga Pamplona kishte vetëm fitore jashtë fushe këtë sezon dhe Ancelotti e kishte paralajmëruar që nuk ishte rastësisht afër kreut. Mbrojtje e ngjeshur, organizim perfekt dhe kundërsulme të shpejta, Osasuna i kishte bërë shumë mirë llogaritë për në Bernabeu.
Megjithatë, problemi i Realit ishte mungesa e ekuilibrit, sepse luhej futboll vetëm në krahun e majtë, ku Vinicius Junior e Mendy shtynin pa fund. Nëkrahun tjetër Carvajal asgjë, Lucas Vazquez nuk e përmirësoi sulmin djathtas dhe Rodrygo nuk bëri shumë pak pas futjes në vend të Camavingas.
Raste për gol kishte shumë, Reali mund të kishte shënuar në të paktën 5-6 momente shumë të mira, por edhe Osasuna në kundërsulm pati një shans, duke goditur shtyllën.
Pa Modric dhe me 3 ndryshime në total në formacionin që fitoi El Clasico, Reali ishte larg nivelit të vet më të mirë, edhe pse një gol do të ndryshonte gjithë vlerësimet. Në renditje Reali mbetet në krye, por rivalët nuk kanë luajtur ende.