Një gazetare e TVE, televizionit shtetëror në Spanjë, Lorena González, u bë protagoniste negative në ditën e prezantimit të Eduardo Camavingas, me një batutë raciste, që vetë autorja e quajti shaka.
“Ky qenka më i zi se kostumi që ka veshur”, dha bukuroshja e TVE, një koment idiot, që nuk i lejohet askujt, sidomos kur të sheh gjithë opinioni sportiv.
Më pas gazetarja kërkoi falje nëpërmjet rrjeteve sociale, por në TVE nuk e falën, sepse e pushuan nga puna për atë gafë që tërboi sidomos tifozët e Realit.
Vetë Lorena, në Twitter, dhe më pas në Radio Marca, ka zbuluar largimin nga puna: “Nuk kam asnjë lidhje me racizmin. Ishte një gabim për të cilin kërkova falje dhe pata pasoja të rënda. Nuk jam martire dhe as shembull për asgjë, por ajo që thashë më bëri që të humbisja vendin e punës.
“Kërkova falje për një koment që u bë me mikrofon të fikur, por nuk do kërkoj falje për komente raciste, sepse kurrë nuk do i thosha. Kam biseduar edhe me Camavingan dhe në asnjë moment nuk u ndje i ofenduar. Disa njerëz duan të jenë më të shenjtë se Papa. Gjithçka ka kaluar limitet, kam familje, ankth dhe një shtëpi për të paguar. Kam 11 vjet në gazetari, kam folur gjithnjë me respekt për këdo dhe kam përjetuar maskilizmin çdo ditë, askush nuk më ka dhuruar gjë”.