Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, ka prezantuar duelin e së martës në mbrëmje kundër Osasuna, duke folur për kundërshtarin, El Clasicon, momentin e keq të trajnerit Koeman, si dhe lojtarë të veçantë, duke nisur nga Vinicius.
OSASUNA: “Ekip shumë i mirë, jo rastësisht është në vendin e gjashtë. Luan futboll intensiv, mbrohet mirë dhe është e rrezikshme në zonë. Mund të rezultojë një ndeshje e ndërlikuar për ne”.
NIVELI NË EL CLASICO: “I kuptoj kritikat për lojën, sepse në futboll çdo njeri mund të japë opinionin e vet. E thashë pas ndeshjes që nuk luajtëm ndeshje spektakolare, por një ndeshje të zgjuar. U mbrojtëm mirë dhe luajtëm mirë në sulm, me shpejtësi”.
KOEMAN DHE TENSIONI ME TIFOZËT: “Më vjen keq për të. Është diçka që të mërzit, janë gjëra që nuk mund të ndodhin. Sjellja e keqe e disa tifozëve nuk duhet toleruar. Koeman është njeri i edukuar dhe ka të drejtë kur thotë që është problem social, jo thjesht futbolli. Është mungesë respekti për njeriun, jo trajnerin. Kur nuk e respekton dikë, do të thotë që shoqëria ka një problem”.
ROTACION NDAJ OSASUNAS: “Ndryshimet bëhen për arsye të ndryshme: lodhja e lojtarëve, të motivosh ata që duan të luajnë, strategjia… Është një vlerësim që do ta bëj pas stërvitjes, kur të shoh disa lojtarë që ndoshta nuk janë riaftësuar ende nga e diela”.
VINICIUS: “Jep maksimumin, përpiqet sa herë mundet. Mund ta shohësh cilësinë e tij, por ai punon shumë, nuk bazohet veç tek talenti. Është lojtar shumë intensiv me topin, duhet të përmirësohet kur është pa të. Është lojtar i përulur dhe i pëlqen të punojë. Deri tani ka qenë super dhe shumë i përqendruar. Është i ri, i duhet pak më shumë eksperiencë, ndonjëherë e humbet përqendrimin gjatë ndeshjes, por nuk duhet të mendojë për asgjë, stadiumin, tifozët”.
KALENDARI I NGJESHUR: “Po luajmë shumë ndeshje dhe kështu niveli bie. Jam dakord që po luhen tepër ndeshje dhe kalendari duhet rregulluar. FIFA dhe UEFA duhet ta rregullojnë, sepse nëse lojtarët lodhen, është e kotë, do ketë gjithnjë e më shumë ndeshje të mërzitshme”.
HAZARD: “Pozicioni i tij është i qartë, mund të luajë në të majtë të sulmit, si sulmues ose si sulmues i dytë. Është gati të luajë, do vijë momenti i tij. Ka gjithçka për t’u bërë një ndër më të mirët në Madrid, dëmtimet e kanë penguar, pastaj ndonjëherë trajnerët duhet të bëjnë zgjedhje dhe përdorin edhe lojtarët e tjerë”.
BALE: “Është mirë, ka nisur të punojë në mënyrë individuale. Mendoj se brenda një jave do jetë i gatshëm të stërvitet me ekipin”.