Toni Kroos ka qenë një ndër blerjet më të suksesshme të Real Madrid, që e pagoi 25 milionë euro thuajse 8 vite më parë, kur e bleu nga Bayern. Po flasim për një kampion bote në Brazil, në kulmin e karrierës. Por çfarë ndodhi që Kroos iku nga Bayern?
Historinë kurioze e ka treguar këto ditë agjenti i Kroos, Volker Struth, i cili ka zbuluar prapaskenat e një transferimi që me siguri Bayern e kujton ende me shume dhimbje.
Në prag të vitit të fundit të kontratës, Kroos ishte lojtar kyç për Bayernin e drejtuar nga Pep Guardiola, i cili kërkoi me ngulm rinovimin.
“Bayern ofronte 6 milionë euro në sezon. Unë kërkova 10 milionë euro, pasi aq paguhej edhe Mario Gotze. Guardiola ishte i mendimit që Kroos duhej mbajtur patjetër.
“Pak javë më vonë u takova me presidentin e Bayernit, më tha që oferta finale ishte 6,5 milionë euro. Biseda zgjati 30 minuta, nuk ramë dakord. Pas një ndeshjeje kundër Frankfurt, Uli Hoeness i shkoi Kroosit në dhomat e zhveshjes dhe i tha: ‘Nuk do marrësh kurrë 10 milionë tek Bayern’. Kroos ia ktheu: “E mendoj njësoj si agjenti im”.
“Aty mori fund me Bayern dhe patëm bisedime me Man Utd. Trajneri David Moyes e donte patjetër dhe ishim dakord për gjithçka, por më pas Moyes u shkarkua, gjithçka u ndal. Real Madridi doli në skenë dhe bëri ofertë, të cilën e pranuam menjëherë. Pjesa tjetër është histori e njohur”, ka treguar agjenti i Kroos.