Është koha për El Clásico, kthehet kampionati për Real Madrid. Ekipi i Ancelottit e rinis pas 3 javësh ndërprerje me një duel të egër ndaj rivalit të përjetshëm.
Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer shumë Realit, që ka rikuperuar lojtarë të rëndësishëm dhe ka mundur bindshëm Shakhtar Donetsk në Champions League.
Ndeshja në Ukrainë i ka shërbyer Ancelottit për të vendosur përfundimisht që skema 4-4-2 nuk i vlen Realit dhe tani e tutje do të përdoret vetëm 4-3-3.
Për El Clasico kthehet edhe Carvajal, pas një muaji e gjysmë jashtë, ndërkohë që është i gatshëm edhe Eden Hazard, i cili mungoi në Kiev.
Gjithsesi, formacioni duhet të jetë ai ndaj Shakhtarit, me dilemë të vetme Nacho apo Lucas Vazquez në të djathtë të mbrojtjes.
Në pjesën tjetër duket gjithçka e konfirmuar, me Mendy në të majtë, pasi francezi është kthyer në formë të plotë fizike. Modric, Casemiro e Kroos nuk preken në mesfushë, ndërkohë që sulmi me Rodrygo djathtas dhe Vinicius majtas duket se është opsioni më i mirë.