Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka qenë mjaft i kënaqur nga fitorja 2-1 në El Clasico, duke mos e fshehur lumturinë edhe për lojën e mirë të Los Blancos, që rrezikuan shumë pak në prapavijë dhe ishin gjithnjë të rrezikshëm në sulm.
NDESHJA: “Vuajtëm sot, mendoj se Barcelona do të jetë në garë për titull deri në fund. Është vetëm fillimi i sezonit, duhet kujdes nga euforia dhe renditja është ende shumë e ngjeshur, për të dhënë verdikte kush është për titull dhe kush jo. Mund të përballemi me këdo, kemi një ekip solid dhe duhet thjesht të rritemi në këtë aspekt. Jam i lumtur për fitoren, sepse është ndeshja më e rëndësishme në LaLiga”.
COURTOIS DËMTIM: “Mori një goditje dhe ka pak probleme. U trembëm pak, por duket më mirë, tashmë e kaloi”.
ALABA GOL: “Një ndër cilësitë e tij më të mira është goditja e topit. E kemi marrë për mbrojtës, por e dimë çfarë di të bëjë kur shkon në mesfushën kundërshtare”.
FAZA MBROJTËSE: “Ishim shumë mirë, Barcelona sulmoi shumë në pjesën e dytë, por rezistuam mirë. Gabuam vetëm pas 0-2, kur menduam se mbaroi dhe Barça shënoi. Ai moment më mërziti, por për fat ishin sekondat e fundit të ndeshjes”.