El Clasico nuk është kurrë një ndeshje normale, nuk ka rëndësi nëse luhet miqësore apo për Champions League, nëse dy ekipet janë në krye apo njëri është në krizë, nëse luajnë Messi e Ronaldo, apo ekipet U23.
Në historinë e vet ky duel ka prodhuar momente të paharrueshme, në çdo drejtim, nga golat e spektakli, deri tensioni dhe çmenduri nga më të ndryshmet.
Historia më absurde? Mund të quhet pa frikë ajo e vitit 2002, kur një kokë derri fluturoi nga shkallët e Camp Nout, duke përfunduar në fushë, pak metra larg Luis Figos, kur ky po ekzekutonte një goditje këndi.
Gjithë ai tërbim e kishte zanafillën në vitin 2000. Florentino Perez merrte presidencën e Realit për shkak të premtimit të madh elektoral se do firmoste me një nga yjet e mëdhenj të Barcelonës, pikërisht Luis Figon.
Transferimi u bë realitet dhe prej vitit 2000 Figo është armik publik në Barcelonë. Siç shihet edhe nga pamjet, ndeshja në 2002 kishte tension të paparë, aq sa shumë njerëz ishin pranë fushës së gjelbër, ndërkohë që policia kishte një detyrë tepër të vështirë për të mos i lejuar të vërshonin në fushë. Që para ndeshjes, atmosfera ishte tepër e nxehtë dhe spikeri i stadiumit, Manel Vich, një person i qetë dhe shumë i sjellshëm, kur lexoi formacionet ndaloi qëllimisht kur lexoi Luis… Figo, për të lejuar 100 mijë persona të vërshëllenin Figon.
Si u fut koka e derrit në stadium dhe kush e hodhi, këto janë ende mistere të një prej ndeshjeve më të çmendura në histori.