U largua para shumë muajsh, por emri i Brahim Díaz vazhdon të bëjë jehonë në Valdebebas. Brahim Díaz po mahnit në Serie A me Milanin dhe po tregon që është një numër 10 i vërtetë, lojtar i aftë të vendosë ndeshjet me lëvizjet, golat dhe asistet e tij. Për këtë arsye, Milani ka vendosur ta blejë përfundimisht, duke paguar 19 milionë euro sipas klauzolës në kontratën e huazimit 2-vjeçar nga Reali.
Drejtuesit kuqezinj janë shumë të kënaqur nga Brahim dhe tashmë duan ta blindojnë, duke i rritur edhe pagën, por fjalën e fundit e ka Real Madrid. Los Blancos kanë një klauzolë që i favorizon, sepse mund ta blejë Brahim për 27 milionë euro, duke kompensuar diferencën prej 8 milionësh me Milanin.
Megjithatë, Reali kërkon ta kthejë patjetër në Madrid dhe siç raporton Defensa Central, Ancelotti i ka kërkuar presidentit Florentino Perez që ta rikthejë patjetër Diaz, pasi është i domosdoshëm për një ekip që nuk ka numër 10 dhe ndërkohë ka një mesfushë ku disa lojtarë janë pranë fundit të karrierës.