Në këto muaj të parë të sezonit Real Madrid ka pasur jo pak probleme me dëmtimet, sidomos në mbrojtje, duke vuajtur shumë për të gjetur alternativa për Ferland Mendy dhe Dani Carvajal.
Më në fund Mendy u kthye në fushë në Kiev dhe konfirmoi se është lojtar shumë i rëndësishëm për Realin, por në klubin madrilen e kanë të qartë se francezi nuk mjafton, duke pasur parasysh se Marcelo do të largohet sezonin e ardhshëm dhe i riu Miguel Gutierrez ka nevojë të luajë rregullisht, ndoshta një vit në huazim.
Për këtë arsye, kërkohet një alternativë cilësorë në të majtë dhe emri i preferuar nga Ancelotti dhe klubi është ai i Sergio Reguilon.
Mbrojtësi u shit tek Tottenham kur drejtonte Zidane, për 30 milionë euro, por Reali këmbënguli për të pasur të drejtën e riblerjes për 40 milionë euro.
Sipas El Nacional, Florentino Perez e konsideron të gabuar vendimin për shitjen e mbrojtësit, i cili ka dhënë aprovimin për kthimin në Madrid dhe nëse Tottenham vendos ta shesë qoftë edhe në janar, Reali ka prioritet për të vendosur çfarë do të bëjë.
Me Reguilon dhe Mendy krahu i majtë do të ishte i kompletuar dhe Reali do të përqendrohej tek përforcimi i qendrës së mbrojtjes, si dhe te afrimi i një mbrojtësi të djathtë.