Superliga europiane rinis sulmin, pak orë pasi qeveria spanjolle ka dalë zyrtarisht kundër krijimit të saj dhe në mbështetje të UEFA-s. Në mbrëmjen e së martës, raporton Marca, është shpërndarë një dokument me të cilin promovuesit e turneut synojnë “një shans të dytë”.
“Projekti i lajmëruar nga 12 klube në prill është keqkuptuar”, nis letra – pa firma – me titull “Të rimendojmë të ardhmen e futbollit në Bashkimin Europian“, brenda së cilës shtrohen 10 pika kyçe në lidhje me nevojën për të reformuar futbollin.
Real Madrid dhe klubet e tjera ideuese të Superlague sigurojnë që nuk bëhet fjalë për një projekt që do shkatërrojë kampionatet kombëtare, por që synon të bashkëjetojë, si tani. Ndërkohë, nuk mungojnë sulmet për UEFA dhe Champions League aktuale.
“Champions League aktuale, e drejtuar dhe administruar nga UEFA, nuk ka ndryshuar për thuajse 30 vite dhe është bërë e ngrirë, e mërzitshme“, thuhet në letër, ku sigurohet se synimi është eliminimi i konceptit të klubeve të futura në SuperLeague me vend të garantuar, ndryshe nga sa u premtua në prill. Tani dokumenti garanton që turneu do jetë i hapur për klubet europiane, bazuar në meritë sportive.
“Projekti Superligë është pranimi se sistemi aktual është i prishur. UEFA është një qeveri e vetëshpallur brenda Bashkimit Europian, një shoqëri private zvicerane e qeverisur nga ligji zviceran“.
“UEFA ka lidhje të ngushta me disa pronarë klubesh qe vijnë nga shtete jo anëtare, që janë sponsorë të disa kompeticioneve dhe klubeve, si dhe blejnë të drejtat e transmetimit për kompeticionet e UEFA-s. ECA, shoqata e klubeve europiane, nuk ka asnjë proces elektoral transparent“, lexohet në dokument, ku sulmohen hapur PSG dhe Al-Khelaifi.
Ja 10 pikat kyçe të dokumentit që synon të rikthejë në jetë projektin Superligë Europiane:
- Superliga nuk prek kampionatet europiane, nuk cenon ecurinë aktuale të tyre;
- Eliminohet koncepti i “klubeve të përhershme, pa garë”;
- Sistemi aktual është i kalbur;
- Rolet e UEFA-s krijojnë konflikte strukturore;
- UEFA ka lidhje të ngushta me disa shtete që nuk janë pjesë e UEFA-s;
- Ka mungesë ndeshjesh të nivelit të lartë;
- Kontrolli ekonomiko-financiar ka defekte të mëdha;
- Nuk ka transparencë në lidhje me financat dhe solidaritetin;
- Bashkimi Europian po e humbet kontrollin mbi futbollin;
- Klubet e qyteteve të mëdha që ndodhen në shtete të vogla nuk garojnë dot në modelin aktual të UEFA-s;