Një histori e vjetër, e para 5-6 viteve, ka ridalë në dritë, pasi Karim Benzema ka përfunduar në gjyq. Bëhet fjalë për historinë e shantazhit ndaj Mathieu Valbuena para Euro2016, kur disa shokë të Benzema kërcënuan Valbuena me publikimin e disa videove me përmbajtje seksuale, ku Valbuena ishte filmuar me një prostitutë.
Në atë kohë Valbuena ishte para zgjidhjes: paguaj, ose publikojmë gjithçka. Megjithatë, Valbuena vendosi të denonconte gjithçka në polici dhe pas hetimeve të gjata, doli në dritë edhe roli i Benzema, i cili komunikonte në telefon me shantazhuesit, ndërkohë që shërbente si ndërmjetës mes tyre dhe Valbuena.
“Më vjen shumë keq që Karim Benzema nuk është paraqitur fare në gjyq, edhe pse 5 vite që thotë që kërkon të ballafaqohet me Valbuena”, tha në seancën e sotme gjyqësore avokati i Valbuena.
Gjyqi i nisur sot vë nën akuzë për shantazh 3 persona, ndërsa Benzema është nën akuzë si bashkëpunëtor. Nëse gjykata vendos që akuzat qëndrojnë, Benzema rrezikon 4-5 vite burg, diçka e pamendueshme për një personazh kaq të njohur, por nga ana tjetër është e qartë që po dëmtohet shumë gara e sulmuesit të Realit për të fituar Topin e Artë.
Valbuena, i cili tani luan në Greqi për Olympiakos, deklaroi në gjyq: “Benzema nuk më foli kurrë për para, e kam thënë gjithnjë, por ishte shumë këmbëngulës. Nuk donte të më ndihmonte, por më tha që është çështje serioze, Europiani është shumë pranë. Kisha shumë frikë, sepse e dija që po të dilte ajo histori do humbja vendin në kombëtare
“Kemi 6 vite me këtë çështje, tani jemi të gjithë këtu, por mungon pikërisht Benzema“.