Triumfi i pastër në Kiev me të drejtë ka kënaqur tërësisht trajnerin Carlo Ancelotti, i cili ka lavdëruar gjithë ekipin. Megjithatë, lojtari që ndoshta ka kanaqur më shumë nga të gjithë trajnerin e Realit është Toni Kroos.
Gjermani luajti titullar dhe paraqitja e tij ishte perfekte, duke dhënë sinjalin se dëmtimi është harruar tashmë. I ngarkuar me organizimin e lojës si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe atë sulmues, Kroos dhuroi një kryevepër të vogël, duke treguar se është ende një ndër mesfushorët më të mirë në qarkullim.
Kroos kontrolli në mënyrë perfekte mesin e fushës dhe bëri që Reali të dilte në sulm pa pasur frikën e lënies së gropave në mesfushë. Shpejtësi në manovër, pasime të sakta dhe timonier i vërtetë: Rali ka gjetur liderin e vet.
Edhe në pjesën e parë, kur ndeshja ishte më e fjetur, mesfusha e Los Blancos ishte dominuese dhe Kroos e Casemiro u kthyen ata të niveleve më të larta, ndërkohë që Modric kishte liri veprimi dhe bëri atë që bën më mirë, duke avancuar përpara.
Me këtë mesfushë (Modric-Kroos-Casemiro) Ancelotti nuk kishte luajtur kurrë, ndaj ndryshimi ishte i dukshëm dhe optimizmi rritet, aq më shumë që në stol ishin emra si Camavinga e Valverde.