Real Madrid ka një grup lojtarësh që praktikisht janë jashtë planeve të klubit dhe që në merkaton e janarit priten lëvizje, për të arkëtuar diçka. Bëhet fjalë për emra si Gareth Bale, Luka Jovic, Mariano e Marco Asensio, të cilët nuk po gjejnë vend në formacionin e Ancelottit dhe gjithashtu shpesh nuk aktivizohen as nga stoli.
Sipas The Mirror në Angli, 2 prej lojtarëve të panevojshëm tek Reali janë në planet e Arsenalit. “Topçinjtë” duan përforcime urgjente në reaprtin e sulmit dhe kanë piketuar Gareth Bale e Luka Jovic.
Bale ka kohë që është kthyer në një problem për Realin, për shkak të dëmtimeve të shumta, ndaj nëse Arsenali bën një ofertë dhe bie dakord me uellsianin, Reali nuk do të bëhet pengesë.
Ndërkaq, Luka Jovic është një nga dështimet më të mëdha të Realit në merkato në dekadën e fundit, sepse për asnjë moment nuk është dukur lojtari që shkëlqente me Eintracht Frankfurt. Kushtoi një mal me euro, ndaj Reali kërkon të përfitojë sa të mundet, por një huazim mund të kënaqë të dyja palët.
Ndërkaq, Arsenali kërkon të largojë sulmuesin Lacazette, i cili mund të jetë një opsion për Realin, për të marrë vendin e Jovic.