Verën e ardhshme Real Madrid do të përforcohet me emra të mëdhenj, ku natyrisht synimi madhor quhet Kylian Mbappe, i cili ka dalë hapur duke pranuar se që verën e shkuar dëshironte vetëm Los Blancos.
Megjithatë, Florentino Perez kërkon një sulm spektakolar dhe synimi i tij është edhe Erling Haaland, i cili edhe këtë fundjavë tregoi se është një futbollist i nivelit të jashtëzakonshëm, i aftë të luajë në çdo ekip elite.
Dortmundi, sipas marrëveshjes me Haland dhe Mino Raiola, ka një çmim të pranueshëm, poshtë 100 milionë euro, por problemi kryesor është paga dhe sidomos komisioni që kërkon Raiola.
Sipas OKDiario në Spanjë, agjenti i plotfuqishëm kërkon të paktën 40 milionë euro neto për transferimin, çka do të rëndonte shumë në koston totale të transferimit, por Reali ka një shpresë dhe quhet Haaland.
Burime të OKDiario zbulojnë se Haaland është nervoz me kërkesat absurde të Raiola dhe kushtet e tij, ndaj nuk është çudi që ta zgjedhë vetë klubin e ardhshëm dhe të ndahet përfundimisht nga Raiola, nëse ky i fundit bëhet pengesë. Dihet prej kohësh që Haaland pëlqen Realin, ndaj në Madrid do të këmbëngulin pikërisht në këtë drejtim, duke shpresuar që dëshira e lojtarit të fitojë ndaj asaj të agjentit.