Paul Pogba është një dëshirë e vjetër e Realit, që ka tentuar disa herë ta blejë, por gjithnjë ka hasur probleme të ndryshme që e kanë penguar të kryejë transferimin e bujshëm. Tani vjen mundësia ideale dhe ndoshta e fundit për Pogba madrilen dhe Reali do të bëjë gjithçka për të firmosur me të verën e ardhshme.
Mundësia e transferimit të francezit në Bernabeu është më e madhe se kurrë, pasi Pogba verën e ardhshme do të përfundojë kontratën që e lidh me Manchester United. Me gjithë përpjekjet e United, duket se Pogba do të ndryshojë klub dhe natyrisht edhe kampionat, sepse edhe PSG është gati të bëjë çmenduri për ta marrë.
Megjithatë, më shumë se Pogba, duhet bindur Mino Raiola, agjenti i plotfuqishëm, i cili sundon tregun së bashku me 2-3 agjentë të tjerë. Italiani, i cili përfaqëson edhe Erling Haaland, po bisedon me disa klube dhe natyrisht ka një tarifë shumë të shtrenjtë.
Sipas informacionit të së përditshmes spanjolle ABC, Reali ka nisur bisedimet me Raiola dhe ka bërë edhe ofertën e vet: 14 milionë euro neto në sezon për Pogba, 30 milionë euro komision për Raiola.
Ofertë e jashtëzakonshme për Raiola, i cili nuk ka asnjë lojtar tek Reali dhe do të mundohet të çojë patjetër dikë verën e ardhshme, për të pasur një dritare më shumë për të ardhmen. Ndërkaq, Reali zor se do lëvizë nga oferta e mësipërme, sepse shpenzimet kryesore do të shkojnë për Kylian Mbappe dhe ndoshta edhe Haaland.