Vera e ardhshme do të shënojë rikthimin e fuqishëm të Real Madridit në merkato, pas 2 sezonesh thuajse në qetësi, me goditje më shumë për të ardhmen, sesa për të tashmen. Florentino Perez, tani që klubi është kthyer në gjendje perfekte financiare, kërkon goditje të mëdha dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Mbappe, fiksimi i madh i klubit madrilen.
AS ka përpiluar listën me emra të rëndësishëm, nga të cilët pritet të dalin disa nga përforcimet e ardhshme të Realit, që po i ndjek me vëmendje këta lojtarë.
Mbappé (22 vjeç)
Objektiv i madh dhe prioritet për Realin. Pas rrëmujës së verës së shkuar, kur Mbappe doli hapur dhe kërkonte Realin, transferimi është shtyrë për verën e 2022.
Haaland (21 vjeç)
Norvegjezi ka një pakt me Dortmundin, sipas të cilit do të qëndrojë deri në verë 2022 dhe pastaj do ta zgjedhë vetë klubin e tij të ardhshëm. Agjenti i tij është Mino Raiola, ndaj do të jetë një mision shumë i ndërlikuar, aq më shumë që në lojë janë edhe PSG e Manchester City, në radhë të parë.
Lewandowski (33 vjeç)
Përtej moshës, polaku vijon të shënojë me rregullsi mahnitëse. Kontrata e tij mbaron në 2023 dhe Bayern po mendon për të ardhmen, duke piketuar edhe Haaland, ndaj nuk është çudi që Lewandowski të përfundojë më Madrid për një çmim jo fort të lartë.
Pogba (28 vjeç)
Reali e ka kërkuar në 2016 e 2019, por tashmë duket se vjen e treta e vërteta. Mesfushori del i lirë në treg verën e ardhshme, në Madrid do të gjente shumë francezë.
Rüdiger (28 vjeç)
Edhe qendërmbrojtësi gjerman del i lirë në treg verën e ardhshme, sepse Chelsea refuzon t’i japë mbi 11 milionë euro neto në sezon, që është edhe kërkesa e Rudiger. Ndoshta Reali ia jep, por në listë për qendrën e mbrojtjes ka edhe lojtarë të tjerë.
Kessié (24 vjeç)
Mesfushori shkëlqeu sezonin e shkuar me Milanin dhe tashmë ka hyrë në vitin e fundit të kontratës. E duan në Angli, interesohet edhe Barcelona, pa harruar PSG, por është thjesht ankand, kush ofron më shumë, dhe kjo gjë e bezdis Realin.
Sterling (26 vjeç)
Një emër që ka dalë në skenë kohët e fundit, pasi vetë anglezi ka deklaruar se kërkon më shumë hapësirë dhe i pëlqen të mësojë frëngjisht e spanjisht. Kontrata me Man City i mbaron në 2023, nuk dihet ende a do rinovojë.