Ditët e fundit ish-futbollisti, trajneri dhe drejtuesi i famshëm i Real Madrid, Jorge Valdano, ka dhënë një intervistë të gjatë për La Galerna, ku ka prekur tema të ndryshme në lidhje me Los Blancos, pasi e njeh shumë mirë botën madrilene.
Argjentinasi ka treguar edhe një histori të veçantë, ku ka zbuluar si Cristiano Ronaldo i dha një këshillë që i ndryshoi karrierën Karim Benzemasë, kur të dy luanin për Realin.
Benzema ishte gjithnjë “violinë” e dytë tek Reali, për sa kohë aty ishte CR7, por prej largimit të portugezit është kthyer në liderin e madh të madrilenëve, duke qenë një model për sjelljen në fushë, por edhe jashtë saj, diçka e papritur për një futbollist që deri para disa vitesh kishte jo pak probleme jashtë fushe, si historia me Valbuena, që e la jashtë kombëtares për shumë vite.
Cristiano Ronaldo, i cili është një maniak për formën fizike, duke qenë ndoshta sportisti që kujdeset më shumë për fizikun e vet, e mori mënjanë Benzemanë dhe i dha një këshillë.
“Ndryshimi i Benzemasë lidhet me përmirësimin e profesionalizmit të tij“, zbulon Valdano. “Djaloshi luante me Cristianon, superprofesionistin me famë botërore. Një ditë, Cristiano, që e admironte Benzemanë, i tha: “Karim, nuk do ia dalësh mbanë tek Reali, nëse vazhdon kështu“.
“Benzema e mbajti vath në vesh atë këshillë. Njerëzit inteligjentë dinë si të përmirësohen. Largimi i Cristianos ishte shumë i rëndësishëm për Benzemanë, që ishte kthyer në një sportist model dhe u bë edhe një lider i madh për Realin“.
Jo rastësisht, Benzema është 33 vjeç dhe është në formën më të mirë të karrierës, duke qenë edhe pretendent për Topin e Artë.