Real Madrid po kërkon përforcime në mesfushë, edhe pse aty ka mbipopullim. Të paktën kështu raportohet në Spanjë, aty ku ka muaj që flitet veç për Mbappe, por sot kanë dalë lajme të reja.
Aurelien Tchouameni i Monaco është kthyer në një ndër lojtarët më të kërkuar në Europë, duke parë rritjen e tij vitet e fundit.
Marca shkruan në edicionin e sotëm se Real Madrid e ka vënë në shënjestër mesfushorin që Niko Kovac e ka pjesë shumë të rëndësishme të skuadrës së tij.
Klubi francez e ka blerë Tchouameni për 21 milion euro nga Bordeaux dhe me paraqitjet e bëra te Monaco ka fituar edhe një vend te kombëtarja e Francës, duke nisur të luajë gjithnjë e më shumë.
Reali e shikon mesfushorin si pasuesin e brazilianit Casemiro, tashmë 29 vjeç. Francezi është vetëm 21 vjeç dhe është një garanci për të ardhmen, ashtu si edhe Eduardo Camavinga që u ble te Rennes këtë verë.
Tchouameni është nën kontratë deri më 30 qershor 2024 dhe mbetet të shihet se sa pretendon Monaco për kartonin e mesfushorit të talentuar, por bëhet fjalë për të paktën 35 milionë euro.