Erling Haaland është një ndër lojtarët më të kërkuar në tregun botëror dhe së bashku me Kylian Mbappe, konsiderohet ylli i dekadës së ardhshme në futboll. Të dy lojtarët ka kohë që përfliten për transferim tek Real Madrid, me Mbappe që e ka bërë të qartë dëshirën e tij dhe dëshironte transferimin në Bernabeu që verën që lamë pas.
Natyrisht, merkatoja është e mbushur edhe me spekulime dhe lajme të bujshme, ndaj mediat nuk humbasin rast për të gërmuar për ndonjë të re në lidhje me të ardhmen e Haaland, i cili ende nuk ka dhënë asnjë sinjal preference për të ardhmen.
Në Itali, në Festival dello Sport organizuar nga Gazetta dello Sport, ka qenë i ftuar edhe një ndër agjentët dhe ndërmjetësit më të njohur në botën e futbollit, Giovanni Branchini, i cili në të kaluarën ka përfaqësuar edhe lojtarë si Ronaldo Nazario apo Romario.
I pyetur për Haaland, Branchini u shpreh: “PSG apo Real Madrid? Besojse Haaland do të përfundojë në Madrid, pasi Reali ka fondet dhe po ashtu është një klub shumë i suksesshëm në arenën ndërkombëtare, çka i josh futbollistët e mëdhenj. PSG mund të përfitojë vetëm në rast se heq dorë nga Mbappe, duke shpresuar që Reali të ndalet me aq, apo që Haaland vetë të mos preferojë të luajë në një ekip me Mbappe, për të qenë pikë referimi në Paris“.