Eden Hazard është kthyer në një makth për Real Madridin, për shkak të dëmtimeve të shumta që nuk e kanë lejuar të luajë rregullisht dhe të gjejë nivelin e vet më të mirë në Spanjë.
Belgu luajti të enjten në mbrëmje për Belgjikën në Nations League, duke u pozicionuar në të majtë të sulmit në skemën me 3 sulmues, ndërkohë që në të majtë pas tij vepronte Carrasco.
Hazard shkëlqeu në pjesën e parë dhe duket qartë që me kombëtaren është më i qetë dhe i lirshëm, edhe për faktin se luan në pozicion që i përshtatet dhe skuadra funksionon duke iu përshtatur atij.
Megjithatë, në pjesën e dytë niveli i Belgjikës pësoi rënie dhe Hazard po ashtu. Në minutën e 74-t erdhi edhe momenti shqetësues: Hazard pasoi një top dhe menjëherë ndjeu dhimbje, duke dalë nga fusha e duke hequr shiritin, pa pritur të ndalej loja.
Dëmtim i ri, do të mësohet sot shkalla e tij dhe Reali uron të mos ketë rinisur kalvari.