David Bettoni ka qenë krahu i djathtë i Zinedine Zidane tek Real Madrid dhe se bashku kanë 30 vjet që njihen, duke qenë miq të ngushtë, përveçse bashkëpunëtorë në punë.
Tani Bettoni ka dhënë një intervistë për AS, ku ka folur për periudhën kur të dy bashkë punonin tek Real Madrid.
Presioni: “I jashtëzakonshëm, sapo hyn në dhomat e zhveshjes përballesh me lojtarë të mëdhenj, që duan të fitojnë dhe ti ke përgjegjësinë t’i çosh në majë. Ka kërkesë llogarie maksimale, stadiumi, njerëzit në rrugë, gazetat, presidenti, duan gjithnjë sukses, fitore, fitore. Kjo është fjala kyçe në Madrid, fitorja, dhe duhet të jesh i përgatitur fizikisht e mendërisht, sepse konsumohesh tmerrësisht”.
Koha në Madrid: “Zidane bëri diçka spektakolare, duke mos pasur eksperiencë në nivele të larta. Imagjinoni presionin që kishte, si legjendë e klubit. Ishte paksa e pandershme në nivel kritikash, sepse gjithnjë teprohej ndaj tij. Kur e mori ekipin, e gjeti të kompletuar, plot yje, por ai dha leksion si menaxhohen këta yje. Fitoi 3 Champions, duke bërë rotacion si askush tjetër në elitë. Kështu triumfoi”.
Largimi: “Po, po, e dija me kohë që e kishte vendosur të largohej. Për letrën e tij secili mund të japë komente, por unë do jem gjithnjë në krah të tij, është trajneri dhe miku im”.