Sky Sport në Angli analizon shënuesit dhe krijuesit më të mirë të golave në ligat kryesore, Premier League, La Liga, Bundesliga, Serie A e Ligue 1, në prag të shpalljes së listës së kandidatëve për Topin e Artë këtë të premte.
Në Angli lojtari i momentit është Mohamed Salah, i cili kryeson listën e golashënuesve dhe sipas legjendës së Liverpool, Jamie Carragher, është lojtari më i mirë në Europë në këtë moment, por çfarë thonë shifrat?
Në të vërtetë, lojtari më në formë është Karim Benzema, i cili ka shënuar 9 gola e ka dhënë 7 asiste në 7 ndeshje kampionati, por është përpara edhe në gjithë treguesit e tjerë.
Sky Sports Power Rankings, metoda e vlerësimit të lojtarëve në Sky, nuk lë hapësirë për interpretime e dyshime, sepse algoritmi vlerëson gjithë aspektet në lidhje me lojtarët, jo vetëm golat dhe asistet. Rezultati? Benzema është mbi Salah në renditjen e lojtarëve më të mirë në Europë, me Erling Haaland, Kylian Mbappe, Edin Dzeko e Mikel Oyarzabal pas tyre.
Bazuar vetëm tek përfshirja në golat e shënuar nga ekipi i vet, Benzema është sërish tepër i shkëputur, me 16 përfshirje në gola, 6 më shumë se Haaland (ka luajtur vetëm 5 ndeshje këtë kampionat) dhe 7 më shumë se Salah dhe talenti i Leverkusen, Florian Wirtz.