Real Madridi i Carlo Ancelottit po përjeton momentin e parë të keq të sezonit, me 3 ndeshje rresht pa fitore dhe një rënie të theksuar niveli nga disa lojtarë. Vetëm Karim Benzema ka ruajtur nivelin perfekt të fillimsezonit, duke luftuar dhe duke shënuar edhe në ndeshjet e krizës. Tani përpara janë 2 javë pushim, me madrilenët që duhet të karikojnë bateritë dhe të analizojnë gabimet e ndeshjeve të fundit, para se të rikthehen në fushë në 19 tetor, me transfertën kundër Shakhtar Donetsk në Champions.
DefensaCentral ka përpiluar një listë të lojtarëve që kanë zhgënjyer më shumë në këto javë të fundit dhe janë nën vëzhgim nga trajneri Ancelotti, i cili pret ndryshim të madh në rendiment, përndryshe zor se do t’u japë më një vend në formacion.
LUCAS VÁZQUEZ
Zëvendësi i Dani Carvajal ka qenë shumë i pasaktë në ndeshjet e fundit dhe është vënë nën shëjestër nga sulmuesit kundërshtarë. Sezonin e shkuar Vazquez ishte ndër lojtarët më të dalluar, por këtë sezon është shumë larg atij niveli, duke vuajtur në mbrojtje dhe duke mos pasur besim në fazën sulmuese.
NACHO FERNÁNDEZ
Qendërmbrojtësi vjen nga një sezon i shkuar ku u përshtat mirë me Eder Militao në qendër. E nisi mirë edhe këtë sezon, por në ndeshjet e fundit ka pësuar rënie të theksuar dhe kundër Espanyol gaboi rëndë tek goli i Aleix Vidal.
ÉDER MILITAO
Qendërmbrojtësi brazilian spikati sezonin e shkuar dhe e nisi shumë mirë edhe sezonin e ri, por në ndeshjet e fundit ka bërë shumë gabime dhe ka vuajtur edhe ndryshimet e shpeshta në krahun e majtë të mbrojtjes. Ancelotti e konsideron ende të paprekshëm, por nga Militao pritet më shumë.
LUKA MODRIC
Mesfushori kroat, tashmë 36 vjeç, nuk ka qenë në nivelin e vet më të mirë këtë sezon. Ciliësia është aty, por Modric po vuan të bëjë atë që ka bërë zakonisht në të shkuarën, ndoshta edhe për shkak se fizikisht nuk është më ai që ka qenë.
CASEMIRO
Braziliani është në një situatë të ngjashme me Modric. Cilësia nuk i mungon, por versioni i vet më i mirë rrallë është parë këtë sezon. Ndoshta është shtrydhur nga sezoni i shkuar dhe ndeshjet e shumta me kombëtaren.
MARCO ASENSIO
Kundër Mallorcas shënoi 3 gola, por kaq, asgjë më shumë nga Asensio, që nuk arrin të gjejë vendin e vet në këtë Real dhe i ka ardhur koha të ndryshojë klub.
ISCO
Mesfushori nga Malaga e nisi sezonin mirë, duke treguar shumë dëshirë për të kapur vendin në formacion, por në 5 ndeshjet e fundit ka luajtur vetëm 39 minuta dhe nuk është më në planet e Ancelottit.
LUKA JOVIC
Ka kushtuar një shifër të frikshme, por serbi ka luajtur vetëm 84 minuta këtë sezon, pa treguar asgjë. I duhen minuta, në Madrid nuk ia jep më askush.