Kylian Mbappe është 100% i dashuruar me Real Madridin. Sulmuesi francez ka folur hapur në një intervistë të fundit, duke u shprehur se nuk ka interes për asnjë klub anglez. Ai e ka ndarë mendjen të veshë fanellën e bardhë.
“Doja të largohesha vetëm për Real Madridin. Nuk jam i interesuar për klubet e Premier League. Madrilenët bënë një ofertë dhe mendova se erdhi dita e lëvizjes. Kur PSG refuzoi të më shiste, u mërzita goxha, por kam vazhduar punën si më parë. Kurrë nuk do e ul nivelin apo të bëj bisht ndaj punës që kam”, ka thënë kampioni i botës.
I pyetur nëse Leo Messi i ka ndryshuar mendjen për largimin nga Parisi, Mbappe është përgjigjur: “Është privilegj fakti që Messi erdhi në skuadrën tonë, por kjo nuk ma ndryshoi mendimin për t’u larguar. Është një vendim që e kisha marrë që në korrik, nuk i marr vendimet për kapriço. E kam mirëpritur ardhjen e Messit, gjithnjë kam thënë që do doja të luaja me lojtarë të mëdhenj. Messi është Messi, nuk e kam problem të vrapoj nëse ai ecën”.
“A do të jem 100% larg PSG-së verën e ardhshme? Në futboll kam kuptuar se asgjë nuk është e garantuar. Kush e priste se Messi do të luante në Paris?” – ka përfunduar sulmuesi francez.