Një ndër problemet që po has Real Madrid në krizën e parë të sezonit është që Benzema është totalisht i vetmuar në sulm. Ka shënuar 10 gola në 10 ndeshje këtë sezon, duke qenë i vetmi që ka shënuar në 3 ndeshjet e fundit, ndërsa asnjë nga shokët e sulmit nuk po tregon ndonjë nivel të mjaftueshëm për të tërhequr përpara Realin.
Karim po bën mrekulli, shumë gola, por edhe 7 asiste, duke treguar një nivel anormal, sepse ka qenë i përfshirë në 16 nga 22 golat që ka shënuar Reali në LaLiga. Me pak fjalë, nëse nuk llogaritet kontributi i tij, është e frikshme ta mendosh sa poshtë do ishte Reali në renditje.
Pas francezit, Vinicius e nisi shumë mirë sezonin, por ka filluar të fiket, duke u ndalur te 5 gola, 2 asiste dhe 2 penallti të fituara. Nëse nuk funksionon Vinicius, nuk funksionon askush tjetër pas Benzema. Hazard ende nuk po tregon nivelin që kishte në Angli, edhe për faktin që po luan pak, Jovic duket si mish i huaj në Madrid dhe Rodrygo e ka humbur ritmin pas startit premtues të sezonit. Asensio ka shkëlqyer vetëm ndaj Mallorcas, ndërsa Mariano as që llogaritet fare si lojtar nga Ancelotti.
Në këtë mënyrë, Benzema vazhdon luftën i vetëm, duke kapur 289 golat si madrilen, vetëm një më pak se Santillana, që është shënuesi i katërt më i mirë në historinë e Realit, shkruan Marca në analizën e saj.