Sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, ka qenë protagonist i L’Equipe, që e ka pasur njeriun kopertinë në edicionin e sotëm dhe ka publikuar një intervistë të gjatë me yllin e Realit dhe Francës.
KY, MOMENTI MË I MIRË NË KARRIERË: “Sigurisht kur shoh statistikat, sepse golat dhe asistet flasin vetë. Pastaj, për të tjerat, jam i njëjti, në aspektin e lojës”.
MBAPPE: “E ka thënë ai vetë, dëshiron diçka më shumë. Një ditë do luajë për Real Madrid. Nuk e di kur, por do vijë. Është thjesht çështje kohe”.
FLORENTINO KA THËNË QË BENZEMA ËSHTË NJË MIKS MES RONALDO E ZIDANE: “Janë dy lojtarët që më kanë bërë të dashuroj futbollin. Ronaldo në sulm dhe Zidane për klasin. Jam mes numrave 9 dhe 10 si mënyrë loje”.
MË MIRË NJË GOL APO NJË ASIST: “Nëse kam 40% shanse për gol dhe 60% për asist, preferoj asist. Nuk mendoj për rekorde, nuk dal dot nga stili im i lojës”.
CAMAVINGA: “Nuk e njihja, është vetëm 18 vjeç. Mund të zhvillohet shumë duke punuar me Casemiro, Kroos apo Modric”.
NDJESIA SI KAPITEN: “Kapiteni është Marcelo, por është i dëmtuar. Është ndër për mua, sidomos duke ditur sa pak lojtarë të huaj e kanë mbajtur shiritin në historinë e Realit”.
A NDIHET NË LARTËSINË E NJË LEGJENDE SI ZIDANE: “Nuk mund të krahasohem kurrë me Zidane apo të flas për të sikur të jemi në një nivel. Kam shumë respekt. Kuptohemi shumë mirë dhe vazhdojmë të flasim me njëri-tjetrin”.
E ARDHMJA: “E nis çdo sezon në synimin për të qëndruar në majë. Nëse je mirë fizikisht, je edhe mendërisht. Teknikën e fiton gradualisht, por për të zgjatur në karrierë, duhet të kombinosh fizikun me trurin. Ndihem në formë perfekte”.
TOPI I ARTË: “Kur ke ambicie, natyrisht që e mendon, por nuk duhet të kthehet në fiksim personal. Ndihem mirë që një lojtar si Figo thotë që unë jam një ndër kandidatët”.