Humbja kundër Sheriff Tiraspol ka krijuar jo pak tension dhe debate në Madrid dhe natyrisht në mediat spanjolle diskutohet për shumë tema: ndryshimet e gabuara taktike të Ancelottit gjatë ndeshjes, gabimet mbrojtëse, rastet e shumta të humbura, por edhe zhgënjimi i radhës nga Eden Hazard.
Belgu u ble nga Chelsea për më shumë se 100 milionë euro dhe natyrisht sytë janë tek ai, kur bëhet fjalë për fantazi dhe diçka më shumë ndaj ekipeve që mbrohen mirë dhe luajnë futboll të organizuar, si Villarreal fundjavën e shkuar, apo Sheriff.
Realisht, Hazard nuk lëvizi keq dhe kërkoi bashkëpunimin me Benzema, por mjaftuan disa ndërhyrje të forta nga lojtarët e Sheriff që Hazard të trembej dhe të kërkonte zgjidhjen e thjeshtë, pasim të thjeshtë dhe mbrapa, tipike e Hazard në Madrid, shkruan AS në analizën e vet.
Tifozët e Realit ende nuk i janë kthyer kundër, por Hazard luajti një tjetër ndeshje normale, jo prej superstari, duke mos pasur guxim të gjuante në disa situata të mira, apo të ndërmerrte diçka të guximshme. Fizikisht belgu duket më mirë, por duket sikur mendja dhe trupi nuk ecin paralel.
Situata është e ndërlikuar për Ancelottin, por edhe për klubin, sepse vlera e lojtarit bie nga muaji në muaj. Edhe vetë Hazard e ka kuptuar se gjërat nuk po funksionojnë dhe duket qartë që nuk është i qetë, zbret në fushë me ankth dhe frikë, duke e ditur që prej tij pritet shumë.