Mbrojtësi i Realit, Nacho, ka dalë në konferencë për shtyp krah trajnerit Ancelotti, para duelit kundër Sheriff Tiraspol. Ja deklaratat e tij…
Pa Ramos e Varane: “Jemi nën vëzhgim çdo ndeshje, në provë, sepse media na ka në fokus, si mbrojtjen, ashtu edhe sulmin. E dimë që duhet të përmirësohemi në aspektin mbrojtës, por kemi lojtarë të rëndësishëm, shumë të zotë dhe mund të arrijmë gjëra të mëdha nëse përmirësojmë disa aspekte të vogla. Kemi pësuar shumë gola dhe trajneri ka të drejtë që thotë që duhet të përmirësohemi. Megjithatë, nuk po humbasim dhe mendoj se na duhet veç punë për të eliminuar defektet e vogla”.
Titullar apo rezervë? “Sezoni sapo ka nisur dhe kam munguar vetëm një ndeshje për dëmtim. A ndihem titullar? Për momentin po, por sepse ka pasur shumë dëmtime. Synimi im është të luaj sa më shumë ndeshje të jetë e mundur”.
Sheriff: “Nuk dimë shumë rreth këtij ekipi dhe nuk kemi pasur shumë kohë të përgatitemi. Është një ndeshje shumë, shumë e rëndësishme në garën për kualifikim”.
Roli si kapiten: “Nuk më ka ndryshuar shumë, i njoh vlerat e këtij klubi dhe jam i njëjti si më parë, përpiqem të ndihmoj ekipin dhe jam i lumtur”.
Favoritët në Champions: “Nuk e vrasim mendjen për këtë gjë, jemi gjithnjë nën presion, pak rëndësi ka kush është favorit. Vitin e shkuar patëm dëmtime, por për pak kapëm finalen dhe me pak fat mund t’ia dalim këtë vit. Reali gjithnjë lufton deri në fund, nuk përjashtohet asgjë”.
Pozicioni në fushë: “Mund të luaj në shumë pozicione, edhe pse jam qendërmbrojtës. Trajneri e di që me eksperiencën që kam mund të luaj edhe në krah”.
Penalltia e pretenduar ndaj Villarreal: “Është penallti e qartë, Albiol është me vonesë dhe unë e prek topin i pari. VAR as u ndal ta shihte si rast”.