Pas disa ndeshjesh plot gola, Real Madrid luajti të shtunën në mbrëmje ndeshjen e parë pa gola të sezonit 2021/22. Edhe pse nuk prodhoi gola, përballja me Villarrealin krijoi jo pak pika interesante për t’u diskutuar.
TRE PËRGJIGJE
1. A do e ulte në stol Ancelotti Asension?
Të mërkurën Asensio luajti një ndeshje perfekte, por luajti vetëm sepse Luka Modric kishte nevojë për pak pushim. A do konfirmohej Asensio për ndeshjen ndaj Villarreal? Para ndeshjes Ancelotti u duk se paralajmëroi uljen e tij në stol, por në të vërtetë trajneri italian i dha sërish besim Asensios, duke spostuar Valverde në mbrojtje. Nuk ishte një lëvizje perfekte, sepse Asensio nuk pati aq shumë liri veprimi sa ndaj Mallorca.
2. A do vijonte Villarreal me futbollin e barazimeve?
Po, Villarreal barazoi sërish. Një ekip i çuditshëm, me 7 barazime nga 8 ndeshje këtë sezon, skuadër që nuk di të fitojë, por është tepër e vështirë ta mundësh. Sërish, shumë zotërim topi pa vlerë, si dhe presing konstant për ta mbajtur Realin sa më larg zonës. Natyrisht, problemet që pati Reali do i kenë edhe ekipet e tjera të kreut, kur të ndeshen me Villarreal.
3. A do ishte sërish në qendër të vëmendjes arbitri Gil Manzano?
Jesús Gil Manzano para një jave tërboi Atleticon me një karton të kuq kundër Athletic Bilbao. Sërish në Madrid, sërish polemika, sepse Reali pretendoi një penallti ndaj Nacho.
TRE PIKËPYETJE
1. Camavinga titullar, jo Casemiro?
Eduardo Camavinga është kthyer shumë shpejt në një lojtar shumë të dashur për tifozët në Madrid, aty ku të shumtë janë ata që mendojnë se Casemiro nuk e ka nisur shumë mirë sezonin dhe ka nevojë për pushim. A duhet të luajë titullar Camavinga, para brazilianit? Kundër Mallorca Camavinga shkëlqeu, por në ndeshje të forta a do të ketë të njëjtin nivel?
2. A do të luajë më Fede Valverde si mbrojtës i djathtë?
Fede Valverde luajti si mbrojtës i djathtë sezonin e shkuar ndaj Liverpool dhe bëri mjaft mirë, por nuk është pozicioni i tij dhe u pa qartë ndaj Villarreal, ku vuajti shumë me Danjuma. E keqja është se në të djathtë nuk ka opsione të mira, në mungesë të Dani Carvajal, ndaj Ancelotti mund të preferojë sërish Valverde.
3. Ku shkoi presingu i Realit?
Shqetësimi më i madh për Realin pas ndeshjes kundër Villarrealit ishte presingu inekzistent, duke e bërë Villarrealin të dukej shumë mirë kur kishte topin. Nuk kishte koordinim dhe ndoshta Valverde në mbrojtje ishte gabim i madh, pasi dukej qartë që sulmuesit nuk arrinin të merrnin asnjë top për shkak të zotërimit të madh të topit nga Villarreal.