Karim Benzema e ka nisur sezonin 2021-22 në mënyrë fantastike, duke u bërë lojtari më i rëndësishëm për Real Madrid. Deri tani ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 7 asiste, duke marrë pjesë në 15 nga 21 golat e Realit në LaLiga.
Në këtë mënyrë, është kthyer në lojtarin më vendimtar në Spanjë në shekullin 21, nëse merren për bazë 6 javët e para të kampionatit. Më mirë se Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi, sa për të krijuar idenë e asaj që po bën francezi.
Jo vetëm në Spanjë, por edhe në 5 ligat e mëdha të Europës asnjë lojtar nuk e kalon numrin e golave të shënuar nga Benzema këtë sezon.
Robert Lewandowski e Erling Haaland janë pas Benzema, me 7 gola secili. Natyrisht, lind pyetja: Çfarë duhet të bëjë më shumë Karim për të fituar Topin e Artë? Në Spanjë debati ka nisur dhe nëse deri në fund të vitit francezi ecën me ritme të tilla, dilemat do të jenë të mëdha edhe për France Football.