Carlo Ancelotti ka të drejtë të buzëqeshë i lumtur, pasi Reali i tij luan futboll dhe fiton duke shkëlqyer në çdo drejtim. Megjithatë, italiani kërkon kujdes dhe është shfaqur i qetë pas triumfit ndaj Mallorcas.
Ndeshja: “E nisëm mirë. Kishte momente kur luanim shpejt dhe momente kur e ulnim intensitetin. Ishim më agresivë në sulm. Nuk kemi punuar për këtë gjë, por kemi folur dhe lojtarët e kanë kuptuar mirë”.
Mbrëmje e mirë: “Lojtarët që nuk kanë luajtur shumë ishin të përgatitur dhe është një sinjal i mirë për gjithë ekipin. Bëj gjithçka mundem, u jap eksperiencën dhe besimin tim lojtarëve, është një ekip që mëson shpejt, ka cilësi”.
Zëvendësi i Casemiros: “Ka shumë lojtarë që mund të luajnë në atë zonë. Niveli mbrojtës i Casemiro është më i larti. Në një ekip ofensiv, Casemiro është jashtëzakonisht i nevojshëm. Mund të luajnë në vendin e tij Camavinga, Kroos, Valverde… por askush nuk di ta bëjë fazën mbrojtëse si Casemiro”.
Asensio: “Mund të bëjë shumë mirë aty, në atë pozicion mes linjave. Është një pozicion që i lejon të bëjë shumë dëme, sepse ka cilësi, gjuan mirë, kombinohet shumë mirë me dy sulmuesit. Besoj se ky është pozicioni i tij”.
Benzema: “Duhet të besojmë gjithçka thotë, gjithçka bën Benzema. Është shumë mirë, ka shënuar 8 gola, është i kompletuar në çdo drejtim. Kur të jetë i lodhur do luajë Jovic, që po bën shumë mirë, por është e qartë që ka shumë konkurencë”.
Rinia: “Kemi një miks të mirë, por nuk duhet harruar që eksperienca është shumë e rëndësishme. Më pëlqeu fakti që lojtarët që luajnë pak janë gati”.
Casemiro, Kroos e Modric jashtë: “E ardhmja e Realit është e sigurt me Valverde, Camavinga, Blanco. Megjithatë, besoj se e tashmja është gjithashtu e sigurt, me Casemiro, Kroos e Modric. Kemi mesfushë shumë të fortë, në çdo drejtim”.