Real Madrid ka një ekip prej 25 lojtarsh, nga të cilët shumë konsiderohen titullarë fiksë, ndërsa të tjerët herët a vonë do të kenë shansin e tyre të tregojnë sa vlejnë. Megjithatë, nga grupi aktual, ekziston një grup lojtarësh që janë në fije të perit dhe në muajt e ardhshëm do të luajnë për të ardhmen e tyre tek Reali.
Bëhet fjalë për ata futbollistë që nuk kanë shumë minuta në dispozicion dhe që mund të largohen në janar, ose verën e ardhshme. Ancelotti në këtë fillimsezoni ka lënë të kuptohet cilët janë futbollistët që nuk i ka në fokus dhe nuk janë në planet e klubit, për arsye të ndryshme.
DefensaCentral ka përpiluar një listë prej 8 lojtarësh që kanë kohë pak muaj për të treguar se janë ende në nivelin e duhur për të luajtur me Realin.
JESÚS VALLEJO
Qendërmbrojtësi i Spanjës U21 Jesús Vallejo u kthye në Madrid këtë verë, pas një sezoni huazim tek Granada, dhe tashmë është qendërmbrojtësi i katërt i Ancelottit. Deri më sot Ancelotti ka përdorur në qendër Alaba, Militao dhe Nacho, por ende asnjë minutë Jesús Vallejo.
Plani i Realit është të blejë një qendërmbrojtës niveli verën e ardhshme dhe duket se Jesús Vallejo është në listën e lojtarëve që do të largohen.
MARCELO
Anësori i majtë brazilian ka kontratë deri në 30 qershor 2022 dhe drejtuesit e Realit nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë rinovim. Veterani ka pësuar rënie të dukshme sezonet e fundit dhe nuk është më titullar, aq sa Ancelotti preferon më shumë Miguel Gutiérrez, të Real Madrid B.
FERLAND MENDY
Mbrojtësi i majtë francez është gjithashtu në fije të perit, por në këtë rast për shkak të dëmtimeve. Ka muaj që nuk luan dhe sa herë afrohet rikthimi në fushë, pëson dëmtim të ri. Do të kthehet në fushë pas një muaji dhe Ancelotti deri tani ka përdorur Miguel Gutiérrez e Nacho Fernández në të majtë.
DANI CEBALLOS
Mesfushori spanjoll u kthye i dëmtuar nga Lojërat Olimpike në Tokio dhe nuk ka debutuar ende me Realin, që pas kthimit nga huazimi tek Arsenali. Ceballos është opsioni i fundit për Ancelottin në mesfushë dhe me blerjen e Camavingas hapësira për të është thuajse 0.
ISCO
Mesfushori nga Malaga luante pak me Zidane dhe situata mbetet e njëjtë me Ancelottin. Mungesat në mesfushë në javët e para krijuan pak hapësirë për të, por tani që janë kthyer titullarët, shanset që Isco të luajë titullar janë shumë të vogla. Nëse nuk shfaq ndonjë përmirësim të madh në lojë, do largohet në janar ose në qershor.
MARCO ASENSIO
Marco Asensio ka pësuar rënie graduale vitet e fundit dhe Ancelotti nuk e sheh më. Gareth Bale, Rodrygo, Hazard, janë të gjithë para Asensios, i cili në janar me shumë gjasa do të largohet.
GARETH BALE
Uellsiani u kthye në verë nga huazimi tek Tottenham, e nisi mirë dhe u dëmtua sërish, që do të thotë se do të kthehet në nëntor. Një frenim i fortë që konfirmon idenë e Realit për të lënë të lirë, ndoshta që në janar nëse vjen ndonjë ofertë.
LUKA JOVIC
Zhgënjimi i madh i merkatos këto vitet e fundit. Serbi i kushtoi Realit 60 milionë euro, por nuk e ka arritur kurrë nivelin e pritur prej tij. Ancelotti do t’i japë shanse, sepse është ende shumë i ri dhe është investim madhor, por nëse nuk ia del as këtë sezon, Reali do të detyrohet ta shesë, edhe pse nuk do i rikuperojë kurrë 60 milionët e shpenzuara për të.
MARIANO DÍAZ
Mariano praktikisht nuk bën pjesë më në organikën e Realit dhe është i lirë të largohet në çdo moment, por asnjë klub nuk ka bërë ndonjë ofertë serioze dhe vetë Mariano ka refuzuar të largohet.