Real Madrid humbi verën e shkuar 2 emra të rëndësishëm në mbrojtje, Sergio Ramos dhe Varane, ndërsa afroi vetëm Alaba, i cili në fakt nuk është qendërmbrojtës i mirëfilltë.
Për këtë arsye, klubi Merengues po ndjek pista të shumta për të gjetur një qendërmbrojtës të nivelit të lartë, për ta vendosur krah Militaos, i cili tashmë është një garanci.
Sipas portalit të merkatos, Fichajes, janë disa emra në shënjestër, por ai që pëlqehet më shumë është Marquinhos.
Mbrojtësi 27-vjeçar i PSG është nën kontratë deri në 2024 dhe këto sezonet e fundit ka luajtur në nivele shumë të larta, aq sa tashmë Pochettino nuk gjen dot vend për Sergio Ramos.
Çmimi i tij është shumë i lartë, mbi 70 milionë euro, pa harruar që PSG refuzon të ulet në bisedime me Realin, pas historisë së Mbappe në verë, por Reali shpreson edhe tek vullneti i vetë lojtarit, i cili mund të kërkojë transferimin në Spanjë.