Në Kupën e Botës 2014 mahniti botën: James Rodriguez i Kolumbisë ishte i ri, i bukur dhe super i talentuar. Perfekt për Florentino Perez, i cili nuk e pati problem të paguante 80 milionë euro për ta marrë nga Monaco.
Sezoni i parë ishte shumë i mirë, por pak nga pak nisën problemet dhe James e humbi vendin në hierarkinë e Realit.
Ne 2017-2019 dy sezone huazim tek Bayern, sërish pa qenë konstant në aktivizim dhe paraqitje dhe praktikisht karriera e fantazistit kolumbian mori fund aty.
Kthimi në Madrid ishte veç për shkak të kontratës dhe pastaj kalimi tek Everton rezultoi një dështim.
Ne moshën 29 vjeç, James e kaloi verën në pritje të ndonjë oferte të rëndësishme, por asnjë klub elite nuk pranoi të investonte për të, ndërkohë që Everton nuk e donte më.
Tani James shkon në Katar, ku po mbyll marrëveshjen me një nga klubet vendase. Shumë para, natyrisht, por edhe futboll i nivelit të ulët. Një dështim sportiv, praktikisht, që vërteton se në futboll nuk mjafton talenti, duhet edhe shumë punë, por pse jo, edhe pak fat.