Robert Lewandowski është një nga lojtarët më të mirë në planet dhe ka qenë shpesh në orbitën e Real Madridit, që tentoi në disa raste ta blinte, por pa ia dalë mbanë për arsye të ndryshme.
Pengesë nuk ka qenë Lewandowski, i cili e ka dashur transferimin tek Reali dhe është takuar me Florentino Perez, me kontratën që priste, siç zbulon Onet Sport.
Sulmuesi polak ka dhënë një intervistë pas marrjes së Këpucës së Artë, si shënuesi më i mirë në Europë sezonin e shkuar.
Vetë Lewandowski ka pranuar se është takuar me Realin dhe ka qenë shumë pranë sidomos në dhjetor 2013, kur u diskutua për firmë në verë 2014, kundrejt një bonusi prej më shumë se 10 milionë eurosh.
“Po, është e vërtetë që jam takuar me Florentino Perez në disa raste. Një prej tyre ishte pas një ndeshje kur luajtëm kundër Realit. Megjithatë, ajo që ndodhi në atë takim nuk mund ta tregoj“, tha Lewa, i cili ka lavdëruar francezin Karim Benzema.
“E admiroj, jo vetëm për golat që shënon, por edhe për mënyrën si e bën ekipin të luajë. Puna e tij për skuadrën është ajo që më pëlqen më shumë prej tij. Është lojtar i madh”.