Nëse nuk ndodh ndonjë çudi e madhe, Isco Alarcón do të largohet nga Reali i Madridit verën e ardhshme. Kontrata e tij përfundon në qershor 2022 dhe klubi madrilen nuk ka ndërmend t’ia rinovojë.
Klubi merengue kërkon të grumbullojë fonde për Kylian Mbappé e Erling Haaland dhe po mendon për një listë të gjatë largimesh, përfshirë emra si Bale, Marcelo e Isco, çka do të bënte që Reali të kursente 60 milionë euro bruto nga pagat e tyre.
Javën e shkuar në Itali u raportua për interesimin e Juventusit dhe Milanit për Isco, por konkurrenca do të jetë e madhe, sepse sipas Fichajes, edhe Lyon ka nisur të interesohet për mesfushorin nga Malaga, si zëvendësues të Houssem Aouar, i cili pritet të shitet.
Natyrisht, Isco ka pretendime ekonomike të frikshme, por nga ana tjetër Lyon është ndoshta i vetmi ekip ku Isco do luante rregullisht dhe pa presionin që ekziston në ekipe të tjera elite.